Del RENDITJA e shteteve me nxënësit më të zgjuar në botë për vitin 2026, ja cilin vend zë Shqipëria

Shqipëria renditet në vendin e 47-të në klasifikimin ndërkombëtar të performancës së nxënësve 15-vjeçarë, duke lënë pas disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Sipas të dhënave të publikuara nga Visual Capitalist, të cilat paraqiten si të bazuara në vlerësimet ndërkombëtare PISA të OECD-së, nxënësit shqiptarë kanë regjistruar një mesatare prej 425.3 pikësh në tri fushat kryesore të testimit: matematikë, shkencë dhe lexim.

Rezultatet tregojnë se performanca më e mirë e nxënësve shqiptarë është regjistruar në shkencë, me 435 pikë, e ndjekur nga matematika me 433 pikë. Ndërkohë, leximi mbetet fusha me rezultatin më të ulët, me një mesatare prej 408 pikësh.

Shqipëria përpara katër vendeve të rajonit

Në krahasimin me vendet fqinje, Shqipëria rezulton më lart në klasifikim sesa Mali i Zi, i cili pozicionohet në vendin e 50-të me 421.3 pikë.

Menjëherë pas tij renditet Serbia, në vendin e 51-të, me një mesatare prej 420.3 pikësh.

Diferenca bëhet më e theksuar në raport me Maqedoninë e Veriut, e cila renditet e 73-ta me 371.7 pikë, ndërsa Kosova pozicionohet në vendin e 82-të me 349 pikë.

Megjithatë, pavarësisht pozicionimit më të favorshëm ndaj këtyre vendeve të rajonit, Shqipëria mbetet larg sistemeve arsimore që kryesojnë klasifikimin ndërkombëtar.

Azia dominon renditjen botërore

Rezultatet më të larta në matematikë, shkencë dhe lexim vazhdojnë të regjistrohen në sistemet arsimore të Azisë Lindore, të cilat mbajnë gjashtë pozicionet e para të klasifikimit.

Rajonet kineze të Pekinit, Shangait, Jiangsu dhe Zhejiang spikasin veçanërisht në matematikë dhe shkencë, me përkatësisht 612 dhe 597 pikë.

Nga ana tjetër, Singapori kryeson në aftësitë e leximit, ku nxënësit kanë arritur mesatarisht 535 pikë.

Mes sistemeve arsimore me performancën më të lartë përfshihen gjithashtu Makao, Japonia, Koreja e Jugut dhe Hong-Kongu.

Estonia, vendi europian me rezultatet më të larta

Në kontinentin europian, Estonia veçohet për performancën e nxënësve të saj, duke u renditur në vendin e shtatë në botë, me një mesatare prej 511.3 pikësh.

Në dhjetëshen e parë të klasifikimit bëjnë pjesë edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re.

Ndërkohë, Kanadaja pozicionohet në vendin e 11-të me 495 pikë, duke lënë pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat renditen të 16-at me një mesatare prej 485 pikësh.

Nxënësit amerikanë kanë arritur rezultate më të mira në shkencë, me 502 pikë, dhe në lexim, me 490 pikë, ndërsa matematika rezulton fusha më problematike, me 463 pikë.

Klasifikimi nxjerr në pah diferencat e konsiderueshme mes sistemeve arsimore në botë, duke treguar se, megjithëse Shqipëria pozicionohet përpara disa vendeve të Ballkanit, hendeku me vendet që kryesojnë arsimin ndërkombëtar mbetet i ndjeshëm.

Leave a Comment