TIRANË – Një zhvillim i papritur ka tronditur skenën politike dhe mediatike në vend, pasi një përplasje e hapur mes kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama ka përfshirë papritur edhe emrin e humanistut të njohur, Arbër Hajdari.
Arbër Hajdari ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij nga Erion Veliaj, i cili e cilësoi si një prej personave të përzgjedhur nga Edi Rama për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari ka mohuar çdo lidhje me këtë çështje, duke i cilësuar deklaratat si thashetheme dhe fantazi.
“Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!
Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!
Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota.
Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”, shkruan Hajdari.
Përmes një lettere të shkruar me dorë nga ambientet e IEVP Fier, Erion Veliaj ka lëshuar akuza të forta e të drejtpërdrejta ndaj kreut të ekzekutivit. Veliaj pretendon se është vizituar në qeli nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili sipas tij i ka përcjellë një ultimatum në emër të kryeministrit Rama: të dorëzojë menjëherë mandatin dhe t’i delegojë kompetencat e drejtimit të Bashkisë Tiranë te Arbër Hajdari.
Më tej, në letrën e tij, Veliaj pretendon se është paralajmëruar se nëse nuk pranon këtë delegim dhe përfshirjen e aluduar në financimin e protestave studentore, ndaj tij do të ngrihen akuza të reja për “prishje të rendit kushtetues”, duke e kërcënuar me deri në 100 vite burgim.
Nga ana tjetër, ministri Toni Gogu e ka konfirmuar takimin e zhvilluar në ambientet e vuajtjes së dënimit, por ka hedhur poshtë kategorikisht çdo pretendim për kërcënime apo ultimatume, duke sqaruar se vizita kishte vetëm qëllim institucional për të dëgjuar shqetësimet e tij.
Pavarësisht se emri i tij u kthye brenda pak orësh në kryefjalë të zhvillimeve politike, Arbër Hajdari nuk ka bërë ende një reagim zyrtar lidhur me pretendimet për marrjen e drejtimit të kryeqytetit.
Sidoqoftë, vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale e ka tërhequr një ndërveprim i tij në mediat sociale. Në një postim të moderatorit Ledion Liço që sinjalizon nisjen e sezonit të ri të “Big Brother VIP Albania”, Hajdari ka pyetur nëse do të jetë sërish ai në drejtimin e spektaklit. Përmes një bisede të shkurtër, ai ka lënë të kuptohet se do të vazhdojë rolin e tij si opinionist për të gjashtin edicion radhazi, kësaj radhe krah Monika Kryemadhit, duke zgjedhur të mbajë heshtje të plotë sa i përket zhvillimeve politike.
